Në 14 shkurt u zhvillua ceremonia e shpalljes së 15 kandidatëve fitues të projektit të Bashkimit Europian ¨Skema e Bursave për Nëpunësit e Rinj Civilë¨. Projekti mbështet reformën në shërbimin civil në ngritjen e një sistemi profesional, të pavarur dhe të bazuar në meritë në përputhje me standardet evropiane. Aktiviteti u zhvillua në ambientet e COD (Center For Openness and Dialogue) në Kryeministri.

Pjesë  e kësaj ceremonie ishin Zëvendëskryeministrja e Shqipërisë, znj. Senida Mesi, Ambasadorja e Bashkimit Europian në Shqipëri, znj. Romana Vlahutin, Ambasadorja e Republikës së Francës, znj. Christina Vasak, Drejtori i Administratës Publike, znj. Albana Koçiu, si dhe Drejtori i Shkollës Shqiptare të Administratës Publike, z. Fatmir Demneri etj.  

Drejtori i Departamentit të Administratës Publike, znj. Albana Koçiu, gjatë fjalës së saj përshëndetëse vuri theksin tek trajnimi dhe forcimi i kapaciteteve të punonjësve publik në shërbim të qytetarëve, ku gjatë viteve të fundit, nëpunësit civilë kanë patur në dispozicion një sërë mekanizma, për të garantuar jo vetëm profesionalizmin, meritokracinë, aftësimin e tyre për t´i shërbyer qytetarëve, por edhe mundësinë për të ruajtur të drejtat e tyre për të zhvilluar karrierën brenda administratës publike.

Duke vlerësuar projektin si një eksperiencë të jashtëzakonshme ku nëpunësit civilë kur të kthehen në vendin e tyre të punës do të kenë mundësi të zhvillojnë më tej njohuritë e fituara, znj. Koçiu shprehu kënaqësinë se 10 prej 15 fituesve të projektit janë pjesë e administratës publike falë procedurave rekrutuese që Departamenti i Administratës Publike ka kryer katër vitet e fundit.

¨Secili nga fituesit ka nënshkruar një kontratë, ata do të kthehen sërish aty ku ishin, ku do të kenë mundësi që njohuritë e përfituara nga ky projekt t´i vënë në praktikë në institucionin ku punojnë. Këta nëpunës civilë shkojnë dhe marrin praktikë pikërisht në ato vende ku ju intereson, vend i ngjashëm me vendin e punës që ata kanë në administratën publike shqiptare. Mund të përmend procese të tilla si: hartimi i kuadrit rregullator, legjislativ, i proceseve të tjera si ai i politikave, i monitorimit të strategjive dhe proceseve të integrimit etj¨- përfundoi fjalën e saj znj. Koçiu.

Projekti përfshin një program katër mujor trajnimi në Francë, Luksemburg dhe Bruksel. Përfituesit kryesorë të projektit janë Departamenti i Administratës Publike, Shkolla Shqiptare e Administratës Publike dhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Në përfundim të projektit të parë pilot, synohet hartimi i një programi afatgjatë, ku çdo vit një numër i caktuar nëpunësish të kenë mundësinë për t´u trajnuar jashtë vendit dhe për të shkëmbyer eksperiencat me administratat shtetërore të vendeve anëtare të Bashkimit Europian.