22 Maj 2017

Panair Pune në Fakultetin Ekonomik
 “Administratë e hapur për profesionistët e rinj” 

Në datën 16 Maj organizuam një panair pune në Fakultetin Ekonomik ku prezantuam studentët me mundësitë e tyre të punësimit në shërrbimin civil si dhe metodat inovative të aplikimit online. Synimi i këtij aktiviteti ishte përthithja e profesionistëve të rinj e të aftë për t’u bërë pjesë e administratës shtetërore. Departamenti i Administratës Publike i prezantoi studentët me vendet vakante në nivelin hyrës për të cilat kriteret e aplikimit janë zotërimi i një diplome Bachelor/Master në fushën e shkencave ekonomike.
Në panair morën pjesë edhe znj. Milena Harito, Ministër Shteti për Inovacionin dhe Administratën Publike, znj. Albana Koçiu, Drejtoresha e Departamentit të Administratës Publike dhe z. Dhori Kule, Dekan i Fakultetit të Ekonomisë. Gjithashtu, znj.Arvena Deda, student ekselente e diplomuar në këtë fakultet, njëkohësisht edhe pedagoge e jashtme, ndau eksperiencën e saj të sukseshme në shërbimin civil si një kandidate e cila arriti të fitonte konkursin dhe më pas, të rritej në karriere brenda administratës shtetërore.
Pjesë e panairit ishin edhe përfaqësues nga institucione të ndryshmë si Ministria e Financave, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregëtisë, Turizmit dhe Sipërmarrjes, Instituti i Statistikave, etj si institucione të cilët kanë nevojë për nëpunës të profilizuar në shkenca ekonomike. Përfaqësuesit ndan me të interesuarit eksperiencën e tyre profesionale, si është të punosh në një institucion shtetëror, natyra e punës së përditshme, etj.
Drejtoresha e DAP, znj. Albana Koçiu u ndal në sfidat dhe risitë që ka sjellë zbatimi në praktikë i ligjit të ri “Për nëpunësin civil” duke sjellë një ndryshim rrënjësor në drejtim të rritjes së besueshmërisë së publikut në këto procedura, tashmë plotësisht transparente dhe online. Ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, znj.Milena Harito theksoi se rruga është e hapur për të gjithë ata që do të tregojnë aftësi dhe përgatitjen e duhur në konkurset që do të organizohen nga DAP.
Ky panair është në vazhdën e disa aktiviteteve të ngjashmë që DAP ka organizuar dhe do të vijojë të organizojë, si një formë shume e mirë bashpëunimi me institucionet e arsimit të lartë, për t’i tërhequr studentët drejt administratës.

Fushatë informuese në universitetet e Shqipërisë

Departamenti i Administarës Publike, në bashkepunim me Projektin e Binjakëzimit IPA 2012 “Mbështetje për Reformën e Shërbimit Civil në Shqipëri”, nisi nje fushatë informuese në disa nga universitetet publike në qytetet kryesore të Shqipërisë. Qëllimi i fushatës është inkurajimi i studentëve për të aplikuar në shërbimin civil si dhe prezantimi me mundësitë e tyre reale të punësimit sipas fushës së studimit. Për këtë qëllim, përgatitëm një sërë materialesh të cilat shpjegojnë procesin e rekrutimit në shërbimin civil, mënyrën e aplikimit, dokumentacionin e nevojshëm, etj. Gjatë kësaj jave e nisëm fushatën informuese në Fakultetin Ekonomik, Fakultetin e Shkencave Sociale si dhe në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, Durrës. Javën e ardhshme do të vijojmë me universitetet në Korçë, Shkodëer, Vlorë dhe Elbasan. Të gjithë studentët patën mundësi të diskutonin dhe të shkëmbenin pyetje të ndryshme lidhur me rekrutimin në shërbimin civil.

Mbledhja e fundit e Komitetit Drejtues të Projektit të Binjakëzimit IPA
“Mbështetje për Reformën e Shërbimit Civil në Shqipëri”

Në kuadër të implementimit të Projektit të Binjakëzimit “Mbështetje për Reformën e Shërbimit Civil në Shqipëri” Departamenti i Administratës Publike zhvilloi ditën e mërkurë, datë 17 Maj, mbledhjen e 8-të dhe të Komitetit Drejtues të këtij projekti. Qëllimi i Projektit të Binjakëzimit është të ofrojë asistencë Qeverisë Shqiptare për të ndërtuar një administratë publike eficiente dhe moderne, të aftë për t’ju ofruar qytetareve të saj shërbime sa më cilësore. Në këtë takim ishin të pranishëm znj.Albana Kociu, Drejtor i DAP, znj.Ramona Moldova, Drejtuese e Projektit, zyrtarë të lartë të Delegacionit të BE në Shqipëri si dhe përfaqësues nga Shkolla Kombëtare e Administratës Publike në Francë dhe Itali.

Zbatimi i Vendimeve të Formës së Prerë

Departamenti i Administratës Publike ka krijuar një sistem raportimit online me qëllim përditësimin e të dhënave për proceset gjyqësore që lidhen me elementët e marrëdhënievë të punës në shërbimin civil. Në këtë sistem raportimi, do të reflektohet çdo e dhënë që lidhet me një proces gjyqësor duke filluar me palët, objektin e mosmarrëveshjes, dhe shkallët e gjykimit deri në përfundim të procesit gjyqësorë.
Gjithashtu në kuadër të koordinimit të qëndrimeve dhe ndjekjes periodike të proceseve gjyqësore, është menduar organizimi i takimeve mujore me Drejtoritë Juridike të të gjithë ministrive. Takimi i datës 19, Maj 2017, i cili ishte takimi i dytë i mbajtur, kishte në fokus prezantimin dhe mënyrën e përdorimit të këtij sistemi raportimi. 
 

 
www.dap.gov.al
This email address is being protected from spambots. You need JavaScript enabled to view it.

       

©2017 Departamenti i Administratës Publike. Të gjitha të drejtat e rezervuara.