IDENTIFIKOHU

“Nepunesit Civil” ne kuptim te ketij ligji jane ata nepunes te institucioneve te administrates publike te nivelit qendror apo vendor, te cilet ushtrojne autoritetin publik, ne detyra te natyres drejtuese, organizuese, mbikqyrese apo ekzekutuese, percaktuar sipas nenit 11 te ligjit te Statusit te Nepunesit Civil

Hyr Trajnime Pyetje per Trajnim Regjistrohuni
Regjistrohu/Profil  
Albanian English

Ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Departamenti i Administratës Publike dhe Projekti i Binjakëzimit “Mbështetje për Reformën e Shërbimit Civil në Shqipëri” me mbështetjen e Fakultetit të Shkencave Sociale, kanë organizuar paraditen e djeshme konferencën me temë “Nëpunësi civil: Çelësi i suksesit për një administratë evropiane”.

Në konferencë merrnin pjesë Shefi i Bashkëpunimit të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Yngve Engstrom, përgjegjësi i Departamentit të Punës dhe Politikave Sociale të Fakultetit të Shkencave Sociale, Edmond Dragoti si dhe akademikë.

Qëllimi kryesor i këtij aktiviteti ka qenë ta bëjë më të prekshme mundësinë e përfshirjes në Shërbimin Civil për të rinjtë e sapodiplomuar apo edhe studentët e viteve të fundit të masterit.

Duke marrë fjalën në konferencë ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito ka theksuar se reforma në Administratën Publike është prioriteti numër një i Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit në BE dhe si i tillë ka patur vëmendjen maksimale nga Qeveria.

“Vitin e kaluar ne shpallëm 1006 vende të lira në Shërbimin Civil dhe vetëm 65% prej tyre tyre u arrit të plotësoheshin. 35% e vendeve të shpallura, mbetën sërish vakante. Kjo është një provë se konkurset janë të lira dhe krejtësisht transparente. Nëse do të kishte emërime politike apo të privilegjuara, nuk do të kishte asnjë vend bosh në Shërbimin Civil. Ndaj mos u dekurajoni nga akuzat e pabaza që dëgjoni gjatë debatit të ndezur politik, por provojini vetë forcat dhe dijet tuaja, duke u bërë kështu dëshmitarët më të mirë të ndryshimit të madh që kanë pësuar procedurat e rekrutimit në Shërbimin Civil”, ka thënë ministrja Harito në fjalën e saj.

Sipas ministres së Inovacionit dhe Administratës Publike edhe gjatë vitit 2016 numri i vendeve të lira në shërbimin Civil është mbi 1000 dhe rruga është e hapur për të gjithë ata që do të tregojnë aftësi dhe përgatitjen e duhur në konkurset që do të organizohen nga DAP.

Drejtoresha e DAP, Albana Koçiu në fjalën e saj është ndalur në sfidat dhe risitë që ka sjellë zbatimi në praktikë i ligjit të ri “Për nëpunësin civil”. Sipas saj i gjithë procesi i rekrutimit ka pasur një ndryshim rrënjësor, çka ka dhënë edhe rezultatet e veta në drejtim të rritjes së besueshmërisë së publikut në këto procedura, tashmë plotësisht të lira dhe transparente. Znj.Koçiu u ndal edhe mbi procedurën e re të aplikimit në shërbimin civil e cila kryhet e gjitha online nëpërmjet faqes zyratare të Departamentit të Administratës Publike. Gjithashtu, në Sesionin e Dytë të Konferencës, Drejtoresha e DAP dhe përfaqësues të këtij institucioni prezantuan në detaj procedurën e aplikimit duke u ndaluar mbi të gjitha hapat e tij.

Ndërkohë në mjediset e Fakultetit të Shkencave Sociale u zhvilluar njëkohësisht me Konferencën edhe një panair pune i një lloji të veçantë. Në këtë panair është prezantuar lista e vendeve të lira të punës në administratën publike, për të cilat nuk kërkohet të kesh eksperiencë pune, çka do të thotë se janë të mundshme për t’u arritur nga studentët e sapodiplomuar.

Në katër stenda të veçanta përfaqësuesit e Ministrisë të Arsimit, Ministrisë së Financës, Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë dhe Ministrisë së Integrimit kanë shpjeguar për të gjithë të rinjtë e interesuar profilin e vendeve të lira të punës në këto institucione, kriteret që ata duhet të përmbushin dhe mënyrën se si mund të aplikojnë përmes portalit të ri online të DAP.